Njeriu i kohës sonë jeton mes krahasimeve të pafundme. Çdo ditë sheh dikë që ka më shumë, duket më mirë ose ka arritur më larg. Dalëngadalë fillon ta masë vlerën e vet me atë që shohin sytë e njerëzve. Prandaj nuk janë të paktë ata që ndihen të pamjaftueshëm, megjithëse kanë arritur shumë. Të pasigurt, megjithëse nuk u mungojnë mundësitë. Të vetmuar, megjithëse janë të rrethuar nga njerëz. Kriza e kohës sonë nuk është vetëm krizë e jetesës. Është krizë e kuptimit. Zemra nuk jeton vetëm me rehati. As me informacion. As me konsum. Ajo kërkon drejtim. Kërkon një qëllim për të cilin të jetojë.